Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish ka ndarë shkronja për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadarenë, pas ceremonisë së varrimit; për çka tha se “ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot”.
“Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh). Pusho i qetë shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde”, shkroi Kurti.
Shkrimi i plotë:
U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar. Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë. Rend i gjatë: në një rresht njerëz nga të gjitha trevat dhe shtresat. Ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot.
As gjysmën e librave të historisë s’besoj se do t’i kisha lexuar sikur të mos ishin romanet e Kadaresë. Letërsi që të cyt kah historia për t’iu rikthyer mandej atyre romaneve. Domosdoshmëria dhe pamjaftueshmëria e historisë, njëkohësisht. Bukuria që ta shuan imagjinatën dhe inteligjenca që ta nxit kureshtjen, po ashtu njëkohësisht. Ndërkohë, fiton kulturë.
Brezi im është rritur me Ismail Kadarenë. Me të mësuar shkrim-lexim: Princesha Argjiro. Në fillore: Kështjella. Në gjimnaz: Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Më pas: çdo roman i tij që na binte në dorë. Tash: gjithçka që ka shkruar e botuar.
Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh).
Pusho i qetë shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde.