Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas stërvitjes së sotme të ushtrisë serbe në Batajnicë, ku gjatë luftës në Kosovë forcat serbe transportun dhe fshehën në një varrezë masive trupat e 744 civilëve shqiptarë të vrarë në luftë.
Forcat e Armatosura të Serbisë prezantuan sot në aeroportin e Batajnicës pajisjet dhe aftësitë e reja të pjesëtarëve të saj, ndërsa në ekspozitën “Granit 2023” mori pjesë kryesia shtetërore e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Ndaj kësaj ngjarje, ku morën pjesë edhe politikanë serbë nga Kosova, ka reaguar kryeministri Kurti.
“Në një varr masiv në Batajnicë, u fshehën trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu 46 anëtarë të familjes Berisha. Në vend të një memoriali për viktimat e luftës, Serbia po zhvillon atje stërvitje ushtarake për ‘Ditën e Forcave të Armatosura’. Trupat mund të fshihen, por e vërteta nuk mund të varroset”, ka shkruar Kurti.
Aty ishin edhe liderët politikë të serbëve nga Kosova. Në podium ishin krerët e Listës Serbe Milan Radoiçiq, Goran Rakiq, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq dhe të tjerë nga kjo parti.