Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e adresimit të krimeve të luftës në Kosovë duhet të trajtohet me urgjencë pasi dëshmitarët e luftës po plaken dhe po vdesin, raporton Anadolu.
Kurti në fjalën e tij hyrëse të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se për krimet e Serbisë në Kosovë dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar dhe në shumë varre të dëshmorëve dhe martirëve po bashkëngjiten edhe varret e dëshmitarëve të luftës.
“Andaj, është çështje urgjente, adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, sidomos, për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, mirëpo jemi duke i humbur dëshmitarët sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë”, theksoi Kurti.
Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti vjen gjatë muajit mars, i cili është i shënuar me përvjetorin e 25-të të masakrave në vende të ndryshme të Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se në vitin 2023 janë intervistuar 191 dëshmitarë të krimeve të luftës, ndërsa vetëm në muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës, për shkak të shtimit të numrit të hetuesve të krimeve të luftës në institucionet kompetente.
Në luftën e fundit në Kosovë, 1998-99, konsiderohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 njerëz, sipas të dhënave nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare.