Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se partia e tij ende nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për konsultimet rreth formimit të qeverisë së re.
Në konferencën e sotme për media, Kurti u shpreh skeptik për mundësinë e krijimit të një kabineti të ri qeveritar, duke lënë të kuptohet se vendi mund të përballet me dy palë zgjedhje brenda pak muajsh.
“Së pari, ne nuk kemi marrë ende ftesë nga presidentja Vjosa Osmani. Natyrisht që do të konsultohemi me të. Duke parë rrethanat dhe dinamiken aktuale, shihet që partitë po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhje të reja parlamentare. Është për të ardhur keq që përveç balotazhit, mund të kemi edhe zgjedhje në dimër e pranverë. Meqë nuk arritëm të bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, është vështirë të sigurojmë 80 për zgjedhjen e presidentit në pranverën e vitit të ardhshëm. Afatet po afrohen me shpejtësi dhe mund të kishim shmangur zgjedhjet e dhjetorit, për t’u përgatitur për ato pranverore,” tha Kurti.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë “Kurti 3”, kandidatura e tij nuk mori mbështetjen e mjaftueshme. Nga votimi rezultuan 56 pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, duke lënë vendin pa qeveri të re. /lajmishqip.net
