Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e 5 dhjetorit ka nisur vizitën në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.
Lajmi për Radion Evropa e Lirë u konfirmua nga Elvira Dushi, presidente e komunitetit shqiptar në Bosnje e Hercegovinë.
Gjatë qëndrimit në Bosnjë e Hercegovinë, Kurti do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Sipas udhëheqësit të kësaj organizate, Adil Kullenoviq, kryeminstri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.
Vizita u konfirmua të enjten edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila tha në një njoftim se Kurti do të qëndrojë për një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politikë, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
“Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, tha Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më herët gjatë 5 dhjetorit ministrat nga Republika Sërpska (RS) thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës (BeH).
Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Stasha Kosharac tha se vendimi është marrë pas konsultimeve në kabinetin e tij, ku morën pjesë ministri i Financave në Këshillin e Ministrave, Srxhan Amixhiq, zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, zëvendësministrja e Çështjeve Civile, Marijana Mujiq, dhe zëvendësministri i Komunikacionit dhe Transportit, Ognjen Janjiq.
Kurti ishte paraparë që të merrte pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, por Këshilli i Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë vendim për të anuluar këtë samit, sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje.
Kryetari i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, deklaroi se ardhja e Kurtit në Sarajevë do ta komplikojë situatën në Bosnje e Hercegovinë.
“BeH nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik, sipas raportimit të Srnas.
Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Kurti kishte deklaruar në mes të tetorit, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, se Kosova nga 1 janari 2025 do t’i lejojë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës të hyjnë me letërnjoftim.
Marrëveshja që do të hiqte regjimin e vizave midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës dhe do t’u mundësonte qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut./ REL