Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova s’e ka ndërmend të bëjë ushtri më të madhe apo më të fuqishme sesa Serbia tani.
Por sipas Kurtit, Kosova duhet të bëjë kapacitete dhe aftësi ushtarake të tilla që sulmin e mundshëm të Serbisë, ta bëjnë të paleverdishëm.
“Ata e provuan me njësitë paramilitare me dhjetëra terroristë më 24 shtator. Ata na e vranë në pritë rreshterin tonë Afrim Bunjaku, por u vranë edhe 3 terroristë serbë dhe ikën me turp. Katër depo armatimi i kemi shkatërruar në 2023, më e madhja me mbi 5 milionë euro armatim dhe municion, në Zveçan”.
“Gjithashtu, i kemi mbyllur 27 rrugë ilegale nga 35 gjithsej. Rrugët e tjera ilegale i kemi mbyllur në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kemi shkatërruar 16 laboratore droge, 9 prej tyre në veri dhe 6 laboratore për kriptovalutat. Krimi i organizuar, kontrabanda dhe agresiviteti serbomadh i Beogradit nuk janë dy gjëra të ndryshme. Duke luftuar krimin dhe korrupsionin, në fakt, ne po mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe po e zmbrapsim Serbinë”, tha Kurti në A2CNN.
Më tej, Kurti tha se synimi i Kosovës është që ta ketë një ushtri e cila e mbron popullatën e Kosovës.
“Unë besoj se Serbia e ka kuptuar këtë gjë. Natyrisht, ne kemi edhe partnerët, miqtë tanë, kemi Republikën e Serbisë, kemi shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n, e cila edhe pse nuk na ka pranuar në gjirin e saj, ne e kemi të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tutje tha se nuk do të mund të përsëritet një “Banjska 2”, por sipas tij, rreziku është që serbët të përdorin mënyra të tjera, por me qëllim të njëjtë.
“Nuk besoj se ata do ta përsërisin Banjskën, por më shumë do të provojnë të bëjnë një gjë me qëllimin e njëjtë, por me mënyra të tjera. Ata e kanë marrë mësimin më 24 shtator dhe shumica dërrmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës”.
“Ata janë multimilionerë në Serbi sepse janë pjesë e krimit të organizuar. Kriminelët e luftës nga vitit 90 u patën bërë kriminelë të paqes në këtë shekull dhe tani dëshirojnë luftë që bëhet si strehë lirie për ta. Kriminelët e duan luftën sepse në njëfarë mënyrë aty krimi i tyre fashitet”, tha Kurti.