Kurti lajmrohet nga Konventa e Demokratëve, befasohët nga fjalimi i Kamala Harris

2 minutes, 0 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.

Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe Presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.

“Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez”, thuhet në komunikatë.

Para fjalës së Presidentit Biden, edhe Zëvendës Presidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.

POSTIMI I PLOTË:

Mbrëmë u zhvillua nata e parë e Konventës Kombëtare Demokratike, përgjatë punimeve të së cilës Zëvendës Presidentja e ShBA-ve, Kamala Harris, pritet të nominohet si kandidate e Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.

Ajo na surprizoi të gjithëve duke mbajtur një fjalë përshëndetëse që në mbrëmjen e parë, teksa folës kryesorë ishin ndër të tjerë Presidenti i ShBA-ve Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.

Në pritjen e organizuar para fillimit të ngjarjes me mysafirët ndërkombëtarë, pata mundësinë dhe të takoj e bashkëbisedoj me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde si dhe Presidenten e NDI Tamara Wittes, të cilëve iu shpreha falënderimin për mbështetjen e palëkundur të tyre ndër vite ndaj Kosovës, por edhe i njoha me zhvillimet në vend dhe progresin tonë ekonomik e demokratik të tri viteve të fundit.

Sot, në ditën e dytë të Konventës, organizohet diskutimi me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”, ku do të jem pjesëmarrës në panelin hapës.

Publikime te ngjashme