Kurti: Kosova në rrugën e duhur drejt BE-së, anëtarësimi mund të zgjasë rreth nëntë vjet

1 minute, 14 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se vendi është në hapat e duhur dhe se rrugëtimi mund të zgjasë mesatarisht nëntë vjet.

Në një intervistë për “Table Briefings”, Kurti u shpreh se Kosova synon jo vetëm të përfitojë nga BE-ja, por edhe të kontribuojë në të. Ai gjithashtu theksoi përparimin e Kosovës në 36 nga 38 fushat e kërkuara nga BE-ja për shtetet që aspirojnë anëtarësimin.

“Mendoj se mesatarja për anëtarësim është nëntë vjet, kështu që duhet t’i përmbahemi kësaj mesatareje. Ne duam të anëtarësohemi në BE jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar. Dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Në raportin e vendeve të BE-së për progresin e Kosovës thuhet se Kosova ka bërë përparim në 36 nga 38 fusha. Ne duam që kjo të njihet më shumë dhe të kemi një proces të bazuar në performancë. Asnjë derë e pasme dhe asnjë proces i shpejtë”, ka deklaruar Kurti.

Kosova ka zyrtarizuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, ndërsa rruga drejt integrimit evropian mbetet e ndërlikuar për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete anëtare dhe sfidave të brendshme politike në rajon.

Publikime te ngjashme