Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër partitë opozitare për bllokadën aktuale politike, duke theksuar me ironi se ato po ia zgjasin mandatin qeverisë aktuale, në vend që të punojnë për shkurtimin e tij.
Sipas Kurtit, për këtë situatë nuk ka një shpjegim racional.
“Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare që, siç jeni dëshmitarë, po ia zgjat mandatin qeverisë aktuale. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje me opozitën që të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet, por kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje,” deklaroi Kurti.
Ai u bëri thirrje partive të tjera që të marrin pjesë në votimin për konstituimin e Kuvendit, duke siguruar se Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, do t’i dëshmojë numrat për formimin e qeverisë së re kur të vijë momenti.
Kurti shtoi se në të kaluarën i kishte ofruar një marrëveshje politike Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ishte refuzuar ashpër.
Këto komente kryeministri në detyrë i bëri gjatë një ceremonie për vendosjen e gurthemelit të një depoje për ruajtjen e barnave për Ministrinë e Shëndetësisë, raporton lajmishqip.