Kurti: Grenell ka qenë kundër meje që nga viti 2020, SHBA-në e kemi mik të veçantë

1 minute, 32 seconds Read

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar kritikat e hapura të emisarit amerikan, Richard Grenell, duke theksuar se qëndrimi i tij kundër nuk është i ri dhe daton që nga viti 2020.

Në një intervistë për “Table Briefings”, Kurti tha se pavarësisht kritikave të Grenellit, Kosova e konsideron SHBA-në si një aleat të domosdoshëm dhe mik të veçantë.

“I dërguari special Grenell ka qenë shumë i qartë kundër meje që nga viti 2020. Kjo nuk filloi gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, ne i konsiderojmë Shtetet e Bashkuara si aleatin tonë të domosdoshëm dhe mik të veçantë”, deklaroi Kurti.

Marrëveshja e vitit 2023 dhe kërkesat ndaj Serbisë

Gjatë intervistës, Kurti foli edhe për marrëveshjen e arritur në vitin 2023, duke ritheksuar kërkesën që Serbia ta nënshkruajë atë dhe që kryeministrja serbe Ana Brnabiq të tërheqë letrën e dhjetorit të dërguar në Bruksel, ku Serbia deklaron se nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës.

Një tjetër kërkesë që ai përmendi ishte ekstradimi në Kosovë i Milan Radojicic, i cili ka qenë i përfshirë në tensionet në veri të vendit.

Qëndrimi për Asociacionin

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti u shpreh se Serbia mund të dëshirojë një model si Republika Srpska në Kosovë, por ai e konsideron këtë të papranueshme dhe të pamundur.

“Serbia mund të dëshirojë diçka si Republika Srpska në Kosovë. Por kjo nuk është as e pranueshme dhe as e mundur”, theksoi ai.

Kurti vazhdon të insistojë në respektimin e integritetit territorial të Kosovës dhe në marrëveshje të balancuara, ndërsa marrëdhëniet me administratën amerikane dhe presioni ndërkombëtar mbeten faktorë kyç në dialogun me Serbinë.

Publikime te ngjashme