“Tani është plotësisht e qartë se Kryeministri Albin Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb”. Janë fjalët e presidentit Aleksandar Vuçiç, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Miroslav Lajçak, shkruan A2 CNN.
Vuçiç paralajmëroi se gjatë 72 orëve të ardhshme do t’i parashtrojë bashkësisë ndërkombëtare kërkesat e Beogradit lidhur me ato që i quan sulme brutale ndaj popullsisë serbe në veri. Ai tha se gjatë tetorit do të dilte me propozime të gjera para kuvendit kombëtar.
“Duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë. Tani është plotësisht e qartë për ne po edhe për të tjerët që Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb. Me masa serioze dhe çështje të tjera do t’ju drejtohemi brenda 72 orëve”, tha Vuçiç, shkruan A2 CNN.
Ai theksoi se Serbia është gjithmonë pro dialogut dhe se është i gatshëm që sot të shkojë në Bruksel për të biseduar me Kurtin. “Por Serbia nuk është e gatshme dhe siç e kam thënë pafundësisht, të lejojë persekutimin e popullatës së saj dhe është fare e qartë se ky është qëllimi i vetëm i qeverisë Kurti”, tha ai.
Mbylljen e institucioneve paralele serbe në Veri, presidenti serb e cilësoi “veprim ilegal dhe kriminal” të Albin Kurtit, ndërsa kritikoi komunitetin ndërkombëtar që siç tha, e ka dënuar Prishtinën vetëm me fjalë.
Deklaratat e Vuçiç erdhën pas takimit me Miroslav Lajçak, me të cilin, siç bëhet e ditur, foli për dialogun dhe problematika të tjera në rajon. Në njoftimin për vizitën e Lajçakut në Beograd, kryeministri Millosh Vuçeviç theksoi se shumë shpejt pritet një takim në Bruksel dhe se atëherë do të dëgjohen gjëra më konkrete për veprimet e Prishtinës. Në po të njëjtën ditë, Vuçiç u takua edhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christofer Hill.