Kurti: Deklaratat e Vuçiqit, kërcënim për stabilitetin; i bëhet thirrje BE-së dhe NATO-s për reagim të prerë

3 minutes, 55 seconds Read

Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar të hënën si kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke theksuar se Beogradi po tregon hapur mbështetje për nxitjen e tensioneve dhe gjuhës së urrejtjes.

Reagimi i Kurtit vjen pas kërcënimit të Vuçiqit për “pasoja të paparashikueshme”, lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Igor Popoviq, i ndaluar javën e kaluar për deklarata nxitëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hoçë të Rahovecit.

“Rasti i Igor Popoviqit, i arrestuar mbi bazën e dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me nxitjen e përçarjes dhe mos durimit etnik me 18 korrik sivjet nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës me profesionalizëm dhe në përputhje me të gjitha standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të bëra me 20 korrik sivjet janë kërcënuese, destabiluzuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual por si politikë shtetërore. Në këtë mënyrë Beogradi zyrtar tregon qartazi se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rajon si dhe tregon që deklarimet e Igor Popoviqit po ashtu nxisin përçarje dhe mosdurim”, deklaroi Kurti, raporton lajmishqip.

“Deri më sot falë punës profesionale të inteligjencës, policisë dhe institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për harkun kohor prej pak më shumë se një viti, gjashtë persona janë arrestuar në Kosovë për spiunazh në shërbim të strukturave të sigurisë së Serbisë. Këto raste për të cilat institucionet kanë siguruar dëshmi nuk janë të izoluara por pjesë e një strategjie të vazhdueshme destabilizuese dhe kundër institucioneve shtetërore të Kosovës nga të cilat kanë marrë dhe do të marrin përherë çdo kund përgjigjen e merituar. Kreu i shtetit verior fqinj të Republikës së Kosovës, jo vetëm që po organizon e po mbështet veprime të tilla, por edhe po vazhdon me instrumentalizimin e grupeve kriminale dhe terroriste për qëllime politike dhe shtetërore”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi se Kosova nuk do të tolerojë asnjë formë të involvimit të grupeve kriminale në jetën publike dhe institucionale.

“Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracinë tonë. Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë dhe të veprojë në Serbi, por ka kaluar një herë e mirë koha kur këtë mund ta bëjë në Kosovë dhe ajo kohë nuk do të kthehet kurrë më. Për mendësinë e pushtetit autoritar e pro rus në Serbi, sundimi i rendit dhe ligjit nga institucionet e pavarura dhe legjitime mund të ketë pasoja të pa parashikueshme siç thonë ata. Pra për të kërcënuar një shtet fqinj ku ka rend dhe ligj, si puna e Republikës së Kosovës, dërgohet një zyrtar shtetëror, si puna e Igor Popoviqit për të nxitur përçarje dhe mos durim e më pas kërcënohet për pasoja”, përfundoi Kurti.

Njëkohësisht, kryeministri i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Bashkimit Evropian, NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare që të “reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit”.

Kurti pohoi se strukturat ilegale në veri janë zëvendësuar me institucione të Republikës, ndërsa në vend të grupeve kriminale tani vepron sundimi i ligjit dhe rendi publik.

“Që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, 208 policë kadetë të rinj nga komuniteti serb i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve pa dallim, për çdo ditë, gjithandej. Që nga prilli i vitit 2024 rreth 800 qytetarë nga katër komunat në veri të vendit kanë gjetur punë nëpërmjet ndërmjetësimit të qeverisë, si rezultat i masës për punësim qeveri për familjen. Mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në këto katër komunat veriore të Republikës sonë për një vit e gjysmë”, tha ai, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme