Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbuluar prapaskena të reja rreth procesit të zgjedhjes së saj në krye të shtetit. Ajo ka theksuar se sa më shumë angazhohej për të siguruar votat e opozitës, aq më i ftohtë bëhej qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj saj.
Gjatë një interviste për gazetarin Çim Peka, e para e shtetit sqaroi se asokohe kishte konfirmime të qarta nga opozita, përfshirë edhe lidershipin e LDK-së, se nuk kishte rezistencë ndaj emrit të saj. Megjithatë, pikërisht kur gjasat për t’u zgjedhur u bënë reale, kryeministri Albin Kurti i komunikoi se ai dhe Grupi Parlamentar i LVV-së nuk e mbështesin kandidaturën e saj.
Osmani theksoi se i kishte bërë të qartë Kurtit që nuk ishte e lidhur ngushtë me këtë post, por një tërheqje e tillë nga mbështetja dëmtonte drejtpërdrejt interesat e shtetit, veçanërisht momentumit të ri të krijuar me SHBA-në.
Duke folur për dinamikat paszgjedhore, presidentja kujtoi se me vetëm 57 vota të sigurta, bashkëpunimi me opozitën ishte jetik. Përmes bisedimeve individuale me deputetë të LDK-së dhe komuniteteve joshumicë, ajo ishte bindur plotësisht se mund të siguroheshin 80 vota pa asnjë problem.
Sipas Osmanit, nëse ajo do të ishte propozuar si kandidatja e vetme serioze e LVV-së e shoqëruar vetëm nga një rival formal, vendi sot do të kishte pa telashe si presidenten aktuale, ashtu edhe Qeverinë Kurti./lajmishqip.net









