Shëndeti i syve shpesh anashkalohet ose merret i mirëqenë, megjithëse ai ndikohet drejtpërdrejt nga ushqyerja, përdorimi i tepërt i pajisjeve teknologjike dhe mosha.
Një nga faktorët kryesorë që dëmton shikimin është mungesa e vitaminave – elemente thelbësore që mbrojnë sytë nga dëmtimet oksiduese dhe inflamacioni. Më poshtë janë vitaminat më të rëndësishme për shëndetin e syve, sipas ekspertëve.
Vitamina A
Një ndër vitaminat më të rëndësishme për shikimin. Ajo ndihmon njeriun të shohë qartë edhe në dritë të zbehtë ose errësirë. Mungesa e saj çon në thatësi të syrit dhe dëmton ndjeshëm cilësinë e shikimit.
Vitamina E
E njohur si një antioksidant i fuqishëm, Vitamina E lufton radikalet e lira që dëmtojnë indet e trupit, përfshirë proteinat e syrit. Këto dëmtime shpesh shkaktojnë mjegullim të shikimit dhe lodhje vizuale.
Vitamina C
Një tjetër antioksidant i fortë, Vitamina C mbron qelizat nga stresi oksidativ. Studimet tregojnë se konsumi i saj i rregullt ul me rreth 33% rrezikun e problemeve të shikimit, si degjenerimi makular.
Kompleksi i vitaminave B (B6, B9, B12)
Ky kombinim ndihmon në reduktimin e degjenerimit të shikimit, veçanërisht tek vajzat dhe gratë. Ai përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ndihmon funksionimin e duhur të nervave të syrit.
Ushqyes të tjerë të rëndësishëm
Ekspertët theksojnë se, përveç vitaminave, trupi ka nevojë edhe për zink dhe acide yndyrore omega-3.
-
Zinku ndihmon në transportimin e vitaminës A nga mëlçia te retina, ku ndihmon në prodhimin e melaninës, pigment që mbron sytë nga rrezet UV. Marrja e 40–80 mg zink në ditë, së bashku me antioksidantë, mund të ngadalësojë përkeqësimin e shikimit me deri 25%.
-
Omega-3 ndihmon në ruajtjen e shëndetit të retinës dhe përmirëson qarkullimin e gjakut drejt syve.
Kujdesi për sytë fillon nga ushqyerja e duhur – prandaj mos lini pas dore vitaminat dhe mineralet që i mbajnë ato të shëndetshme./lajmishqip.net
