Kanë vazhduar akuzat në distancë mes zyrtarëve qeveritarë edhe atyre të Prokurorisë Speciale. Kryeprokurori Isufaj i është kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti duke thënë se me sa di ai nuk ka ndodhur që një kryeministër të intervistohet në zyrën e tij. E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar se Prokuroria Speciale ka intervistuar zyrtarë të lartë qeveritarë nëpër zyrat e tyre, por sërish nuk ka përmendur emra.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që “synon ta politizojë” drejtësinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me deklaratat e kryeministrit Kurti për të mos iu përgjigjur thirrjes së prokurorëve për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, Isufaj tha se “ligji është i njëjtë për të gjithë”.
“Sistemi Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë, ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emërimi. Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, por unë nuk e di. Në këto pesë vjet sa jam kryeprokuror i kësaj prokurorie, raste të tilla nuk ka pasur. Deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, tha Isufaj.
Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, ka thënë se secili është i barabartë para ligjit, derisa fajësoi ekzekutivin për sulm ndaj sistemit të drejtësisë.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës ia jep mbështetjen e plotë Prokurorisë Speciale, në zbatimin e mandatit kushtetues dhe ligjor që ka, dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Hajdaraj.
Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar sërish që Prokuroria Speciale ka intervistuar zyrtarë të lartë qeveritarë nëpër zyrat e tyre në të kaluarën dhe ka thënë se është në linjë me qëndrimet e Kurtit që e gjithë situata është planifikuar nga Isufaj.
Haxhiu nuk përmendi emra kur pretendoi se intervistimet janë kryer edhe më herët nëpër ambiente të Qeverisë, por tha se prokuroria nuk i interviston liderët e partive opozitare, derisa e ka cak pushtetin aktual.
“Siç po duket kryeporkurori Blerim Isufaj më shumë shërben aty për ta luftuar qeverisjen e Vetëvendosjes, rrjedhimisht për ta luftuar reformën në drejtësi sesa për tu kujdesur për drejtësinë në vend dhe asnjërën s’po e arrin. Për drejtësi jo se jo sepse fokusi i tyre është që të merret me ne, por kur as me ne nuk po ia arrin del flet në konferenca për media që të shohim më vonë se cilat do të jenë deklarimet e tij…Ku ka qenë kryeprokurori Blerim Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë që kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë. A e kanë ftuar Ramush Haradinajn në prokurori për këtë deklaratë. Është deklaratë e rëndë po e akuzon një kryeministër sigurisht që jo sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë e me terroristët që i priste në zyrë siç ishte Milan Radoiçiqi”, tha Haxhiu.
Deri tash kryeministri nuk u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të prokurorisë për të intervistuar në Prokurorinë Speciale.
Si Kurti ashtu edhe Haxhiu kanë insistuar se ka pasur kryeministra që janë intervistuar në zyrën e tyre dhe se kjo duhet të zbatohet edhe në rastin e kryeministrit Kurti, porse nuk kanë përmendur emra konkretë të kryeministrave të intervistuar në zyrë.
Kurti ka deklaruar të dielën në podcastin “Rrjedha”, i transmetuar në KTV, se Isufaj është “regjisori i një pamjeje ku duhet të prodhohet një lajm se kryeministri i Kosovës intervistohet për një rast korrupsioni” .
“Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, tha Kurti.
E kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj, në konferencë për media u shpreh se nuk ka dëgjuar kurrë për një rast kur kryeministrat janë intervistuar në zyrat e tyre.