Një ngjarje tejet e rëndë ka tronditur fshatin Majac të Podujevës mbrëmjen e së shtunës, ku një burrë rreth 45-vjeçar nga Obiliqi dyshohet se u ekzekutua nga një 31-vjeçare, me të cilën besohet se kishte një lidhje dashurie.
Bilanci i kësaj tragjedie është rënduar edhe më tej, pasi krahas viktimës, të plagosura rëndë kanë mbetur vetë dorasja e dyshuar dhe një grua 73-vjeçare, e cila raportohet të ketë lidhje familjare me të.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e ka konfirmuar vrasjen e një personi në këtë incident të përgjakshëm.
“Konfirmoj rastin e vrasjes në Podujevë; prokurorja kujdestare tashmë është nisur drejt vendit të ngjarjes për të nisur hetimet e nevojshme”, deklaroi Gashi për “Betimi për Drejtësi”.
Dy gratë e plagosura janë transportuar me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po luftojnë me vdekjen.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, bëri të ditur se pacientet kanë pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe gjendja e tyre mbetet tejet kritike për jetën.
“Bëhet fjalë për dy paciente, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, të cilat janë sjellë me lëndime nga armët e zjarrit. Gjendja e tyre është jostabile, ato janë të intubuara dhe po u nënshtrohen intervenimeve kirurgjikale, përfshirë ekipet e Neurokirurgjisë”, sqaroi Syla.
Ndërkohë që hetimet për zbardhjen e motiveve po vazhdojnë, tashmë janë publikuar edhe identitetet e personave të përfshirë në këtë krim.
Sipas raportimeve të mediave, viktima është Ilaz Brahimi, i cili dyshohet se u vra nga Ardita Gashi. Burimet tregojnë se mes tyre ka pasur një lidhje dashurie afatgjatë, e cila së fundmi po shkonte drejt një ndarjeje konfliktuale.
Dyshohet se me këtë pretekst, Ardita e kishte ftuar Ilazin për një takim në shtëpinë e saj në Majac. Me të arritur ai në lokacion, 31-vjeçarja dyshohet se ka shkrepur armën disa herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Drama ka vazhduar kur gruaja e axhës së Arditës, me të dëgjuar krismat, ka vrapuar drejt vendit të ngjarjes, ku në rrethana ende të paqarta ka pasur shkëmbim zjarri që la të plagosura rëndë të dyja gratë /lajmishqip.net










