Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë pjesë e panelit diskutues me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, i cili u zhvillua në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos.
Ky zhvillim ka zgjuar interesim të madh edhe në Serbi, ku ish-bashkëpunëtori i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Dragan Shormaz, ka reaguar ashpër.
Shormaz nuk ka kursyer ironinë ndaj udhëheqësit serb, duke pretenduar se askush nga figurat relevante nuk po shfaq interesim për ta takuar apo ftuar atë.
“Përderisa Aleksandar Vuçiq ushqehet me djathë e patate të nxehta dhe gjuan njerëzit nëpër korridore, Kurti në Davos veçse mori pjesë në panelin e parë brenda Shtëpisë Amerikane!”, ka deklaruar kryetari i Këshillit Euroatlantik të Serbisë.
Vlen të theksohet se paneli ku u prezantua Kurti është pjesë e iniciativës “Komuniteti i Besimit në Veprim” të Forumit Ekonomik Botëror, e cila synon të nxisë partneritete inovative në ekonomi, mjedis dhe teknologji mes liderëve botërorë.
Gjatë këtij diskutimi, Kurti ka vënë në pah se besimi është elementi qendror në ndërtimin e shërbimit publik dhe unitetit brenda një shoqërie dhe funksionimit të shtetit.
“Besimi qëndron si shtyllë e unitetit në faza të ndryshme të zhvillimit shtetëror”, ka thënë Kurti, duke nënvizuar se optimizmi për të ardhmen vjen direkt nga angazhimi aktiv i qytetarëve.
Kjo iniciativë, sipas organizatorëve të forumit, ka për qëllim të gjejë rrugë të reja se si udhëheqësit globalë mund të përshpejtojnë bashkëpunimin karshi sfidave aktuale shoqërore./lajmishqip.net

