Përpjekja për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, e cila duket të jetë një nga përpjekjet më të hershme të Al-Qaedas për të goditur SHBA-në, u përmend shkurtimisht në libra të botuar në vitet 2010 dhe 2019. Tani agjentët e pensionuar të Shërbimit Sekret amerikan kanë rrëfyer detaje të reja të rastit që supozohet se ka mbetur i harruar nga historia
Washington, 23 mars (Reuters) – Fluturimi me “Air Force One” i ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, me zonjën e parë, Hillary Clinton, po shkonte drejt destinacionit të tij të fundit, në Manila, më 23 nëntor të vitit 1996, kur Shërbimi sekret amerikan kishte marrë informatën alarmuese: një pajisje shpërthyese ishte vendosur në rrugën ku do të kalonte autokolona për në kryeqytetin e Filipineve.
Duke vepruar me shpejtësi, agjentët kaluan në një rrugë dytësore për në hotelin e Clintonëve duke penguar përpjekjen e Al-Qaedas për ta vrarë presidentin e Shteteve të Bashkuara, pak minuta pas mbërritjes së tij për samitin vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik, Azi-Paqësor (APEC).
Teksa autokolona ecte përgjatë rrugës alternative, oficerët e sigurisë filipinase gjetën një bombë të fuqishme në një urë në të cilën ishte paraparë të kalonte kolona, dhe një SUV të braktisur aty pranë që përmbante armë të llojit AK-47, kanë treguar për “Reuters” katër agjentë të pensionuar.
Përpjekja për vrasje, e cila duket të jetë nga përpjekjet më të hershme të Al-Qaedas për të goditur SHBA-në, u përmend shkurtimisht në libra të botuar në vitet 2010 dhe 2019. Tani, tetë agjentë të pensionuar të shërbimit sekret, shtatë prej të cilëve ishin në Manila, i kanë dhënë agjencisë “Reuters” rrëfimin më të detajuar deri më sot të komplotit të dështuar.
Për disa prej agjentëve të Shërbimit Sekret të intervistuar, ngjarjet në Manila kishin lënë shumë pyetje pa përgjigje.
“Gjithmonë kam pyetur veten pse nuk më mbajtën në Manila për të kryer ndonjë hetim”, ka thënë Gregory Glod, agjenti kryesor i inteligjencës së Shërbimit Sekret në Manila, dhe një nga shtatë agjentët që folën për herë të parë. “Në vend të kësaj, më larguan një ditë pas largimit të Clintonit”, ka shtuar ai.
“Kishte një incident. Rasti mbetet i klasifikuar”, ka thënë zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi. Ai nuk ka pranuar të thoshte se çfarë veprimesh –nëse ka pasur – kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara si përgjigje.
Clintoni nuk është përgjigjur në disa përpjekje të “Reutersit” për të komentuar rastin.
Ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, i cili ishte shefi i shtabit të Clintonit atë kohë, ka thënë se ai nuk ishte në dijeni të incidentit, porse një përpjekje për të vrarë një president do të duhet të hetohej.
“Si një ish-shef shtabi do të isha shumë i interesuar të përpiqesha të zbuloja nëse dikush e vuri këtë informacion mënjanë dhe nuk ua solli në vëmendje njerëzve që duhej të ishin të vetëdijshëm se diçka e tillë ndodhi”, ka thënë Panetta.
Sipas ligjit amerikan, në raste kur dikush tenton ta vrasë çdo shtetas amerikan jashtë shteti, Prokuroria do të duhej të kërkonte menjëherë autorizim për të nisur hetimet nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI). FBI-ja ka refuzuar të komentojë përpjekjet për komplot në Manila.
Katër ish-zyrtarë amerikanë, duke përfshirë ambasadorin në Manila në atë kohë, Thomas Hubbard, kanë konfirmuar sulmin e dështuar, por kanë thënë se gjithashtu nuk ishin në dijeni të ndonjë hetimi apo veprimesh pasuese të SHBA-së.
Trembëdhjetë vjet pas vdekjes së Osama bin Ladenit, Al-Qaeda është forcë më e zbehtë. Por sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi “kanë mobilizuar përpjekjet për të radikalizuar dhe rekrutuar ndjekës të rinj brenda komuniteteve myslimane në Evropë”, ka shkruar një panel ekspertësh i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një raport të 29 janarit, duke cituar propagandën e Al-Qaedas që mbështet Hamasin.
Inteligjenca ogurzezë
Gregory Glod ka thënë se një agjenci e inteligjencës amerikane më vonë ka vlerësuar se komploti u tentua me urdhër të Osama bin Ladenit nga operativët e Al-Qaedas dhe grupit “Abu Sayyaf” – islamikët filipinas që konsideroheshin krah i Al-Qaedas. Ai nuk ka pranuar të tregonte për cilën agjenci bëhet fjalë.
Ky grup tani është në krizë, sipas raporteve të fundit. Vetëm një pjesë e vogël e udhëheqësve të tij janë ende gjallë.
Katër nga agjentët e Shërbimit Sekret që kanë folur për herë të parë kanë vënë në theks se Ramzi Yousef – organizatori i lidhur me al-Qaedan në sulmin e parë të Qendrës Botërore të Tregtisë më 1993 dhe nip i arkitektit të sulmit të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, i cili kishte trajnuar militantët e “Abu Sayyafit” – ishte në Manila disa ditë përpara një vizite të Clintonit në vitin 1994.
Yousef është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm plus 240 vjet, në një burg federal në Colorado.
Në intervistën e parë të FBI-së me Yousefin pas arrestimit të tij në vitin 1995, ishte vënë në theks se ai kishte vëzhguar vendet në Manila që mediat raportuan se Clintoni do t’i vizitonte. Yousefi “ka treguar se mendoi të vendoste një mjet shpërthyes të improvizuar në një vend përgjatë rrugës së autokolonës”.
Yousefi kishte arritur në përfundimin se kishte shumë siguri dhe kohë të pamjaftueshme për një sulm, thuhej më tej në detajet e intervistës.
Tre nga agjentët e Shërbimit Sekret kanë thënë se besonin se Yousefi në vend të kësaj po përgatitej për sulmin e vitit 1996, duke theksuar se data e një samiti të rëndësishëm të APEC-ut ishte bërë tashmë e njohur në fund të vitit 1994.
“E dija se ai (Yousef) ishte tip me njohuri të avancuara”, ka thënë Glod, duke përmendur njohjen e tij me raportet e inteligjencës.
Avokati i Yousefit, Bernard Kleinman, ka thënë se teksa “është e imagjinueshme” që Yousefi ishte në Manila në vitin 1994 për të filluar komplotin e vitit 1996 kundër Clintonit, ai ka dyshime se Yousefi e ka bërë këtë, duke e përshkruar klientin e tij si mburravec që e bëri veten “shumë, shumë më të madh, sesa ai mund të ketë qenë në të vërtetë”.
Kërcënimi i paraqitur nga Al Qaeda dhe Yousefi ishte vetëm një nga elementet shqetësuese me të cilin përballej ekipi i sigurimit të Shërbimit Sekret, kanë kujtuar tre agjentët.
Filipinet po luftonin atëkohë me kryengritjet komuniste dhe islamike. Policia pati zbuluar një bombë në aeroportin e Manilës dhe një tjetër në qendrën e konferencave të samitit në gjirin Subic disa ditë përpara mbërritjes së Clintonëve. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte paralajmëruar për kërcënime kundër diplomatëve amerikanë në Manila, një ditë përpara se çifti i parë i shtetit të fluturonte.
Glod ka thënë se detyra në Manila ka qenë më e rënda dhe më e keqja që ka përjetuar ndonjëherë sa i përket inteligjencës.
Rreziqet i ishin bërë me dije Clintonit përpara vizitës, sipas një ndihmësi ushtarak, nënkolonel në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, Robert “Buzz” Patterson, i cili pati shoqëruar Clintonin në udhëtim.
Pajisja në një urë
Ishte mbrëmje vonë kur Clintoni fluturoi në Manila.
Teksa “Air Force One” zbriste, agjenti i Shërbimit Sekret, Daniel Lewis ia kishte përcjellë informatën ekipit të Shërbimit Sekret në aeroport për një “pajisje në një urë” në rrugën kryesore për në Hotel Manila.
I shtrënguar në ulësen e tij jashtë kabinës së Clintonëve, Lewis Merletti, i cili drejtoi ekipin mbrojtës të Clintonit dhe më vonë u bë drejtor i Shërbimit Sekret, ka thënë se ai arriti në konkludimin e njëjtë pas një telefonate nga një oficer i inteligjencës amerikane – emrin e të cilit nuk e dinte – duke paralajmëruar një përgjim që përmendte “dasmën mbi një urë”. Ai ka kujtuar një raport të inteligjencës të disa viteve më herët e që identifikonte “dasmën” si “kod terrorist për një atentat”. Rruga e planifikuar e autokolonës parashihte tri ura deri në hotelin e familjes presidenciale.
“Kjo është e gjitha. Ne po ndryshojmë rrugën”, ka kujtuar Merletti t’i kishte thënë Glodit përmes një lidhjeje të sigurt radioje. Edhe Glodi ka konfirmuar deklarimet e Merlettit për ngjarjen.
Bomba e destinuar për Clintonin u gjet mbi një trafo elektrike në një urë përgjatë rrugës kryesor, kanë thënë Merletti, Lewisi dhe Glodi, të cilët u tërhoqën nga Shërbimi Sekret në vitet 1998, 2003 dhe 2011, respektivisht.
Videot e “Reutersit” të momentit të mbërritjes së Clintonit kanë treguar ekspertët e asgjësimit të bombave duke u marrë me një eksploziv në një urë, dhe duke e shpërthyer.
Personeli i sigurisë filipinase pati gjetur gjithashtu një Mitsubishi Pajero të kuq të braktisur në skajin e urës, kanë thënë agjentët. Ata kanë deklaruar se armët e sulmit AK-47 të gjetura brenda, tregonin se sulmuesit kishin planifikuar të bllokonin hapësirën me automjet dhe të qëllonin në autokolonë.
Të nesërmen në mëngjes, Glod dhe Merletti kishin thënë se qenë informuar për komplotin nga një zyrtar i inteligjencës amerikane në Ambasadën amerikane dhe u ishin treguar fotot e pajisjes. Pajisja nga granata që shpojnë forca të blinduara, në majë të një kutie që përmbante tritol të lidhur me një telefon Nokia. Lewis dhe Craig Ulmeri, i cili ishte agjenti në krye të ekipit në terren të Manilës, kanë thënë se edhe ata i kanë parë fotot më vonë.
Dennis Pluchinsky, analist në pension i Departamentit të Shtetit, i cili mësoi për komplotin e dështuar tek në vitin 2020 teksa studionte një histori terrorizmi anti-SHBA, ka rikthyer në vëmendje se në vitin 1995 Clintoni pati dalë me vendimin për të “frenuar, mposhtur dhe përgjigjur fuqishëm të gjitha sulmeve terroriste” kundër amerikanëve brenda ose jashtë vendit, dhe “kapjen e ndjekjen penale” të përgjegjësve.
Vetëm pas vdekjes së 220 personave në bombardimet e Al-Qaedas në ambasadat e SHBA-së në Keni dhe Tanzani në gusht të vitit 1998, Clintoni u përgjigj me sulme me raketa.
Mirëpo ato nuk arritën ta ndalonin Bin Ladenin nga planifikimi i sulmeve të reja.