Komisioni Evropian konfirmon shkrirjen e plotë të fondeve për Kosovën

3 minutes, 18 seconds Read

Komisioni Evropian ka zyrtarizuar heqjen e të gjitha masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i pat vendosur Kosovës në qershor të vitit 2023.

Konfirmimi për zhbllokimin e masave financiare ka ardhur nga Jiri Plecity, përfaqësues i lartë i KE-së, gjatë debateve për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka zhbllokuar të gjithë ndihmën financiare që ishte nën masa dhe po planifikojmë një riangazhim të plotë me homologët tanë në Kosovë, me qëllim që ta rikthejmë vendin në binarët e agjendës së tij integruese në BE”, ka deklaruar ai.

Përkundër këtij lajmi pozitiv, gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje e thellë për vitin e konsideruar të humbur për Kosovën, si pasojë e ngërçit politik që e përcolli vendin gjatë gjithë vitit 2025.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, theksoi se kjo paralizë politike ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në ecurinë e procesit reformues.

“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe bllokada politike kanë ngadalësuar dukshëm reformat jetike që Bashkimi Evropian pret nga vendet aplikante, e të cilat janë qartësisht qenësore për vetë vendin. Ka fusha të qarta ku Kosova ka shënuar regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, u shpreh raportuesi Terras.

Kujtojmë se BE-ja vendosi masat ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, të cilat përfshinin pezullimin e financimit dhe të takimeve dypalëshe mes zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

Këto masa erdhën si reagim ndaj tensioneve në veriun e Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, pas marrjes së mandateve nga kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore.

Atë kohë, situata eskaloi në përplasje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe forcave të sigurisë, përfshirë këtu edhe pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Veç heqjes së masave, nga ana e Bashkimit Evropian është vlerësuar lart edhe arritja e marrëveshjes për zbatimin e Ligjit për të huajt.

“Fundjavën e kaluar në Prishtinë, falë lehtësimit të BE-së, është gjetur një rrugëzgjidhje për zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë. Ne mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kosova lidhur me ruajtjen e sundimit të ligjit. Kjo do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të vazhdojnë të banojnë, studiojnë dhe punojnë në Kosovë në mënyrë të ligjshme, sipas legjislacionit kosovar”, ka deklaruar Anne Kempainen nga Shërbimi i Jashtëm Evropian.

Sipas përfaqësuesve evropianë, kjo arritje shërben si dëshmi shtesë se dialogu prodhon rezultate konkrete.

Me 14 mars, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur vendimin për të ofruar leje të përkohshme qëndrimi dhe për të njohur letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, zbatimi i të cilit ka nisur nga 15 marsi.

Zbatimi parcial i ligjeve për të huajt dhe automjetet pati nisur më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat, ndërsa nga 15 marsi ato kanë hyrë në fuqi plotësisht.

Ligji i obligon të gjithë banorët që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, kurse automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm mbi bazën e një autorizimi të veçantë.

Hyrja në fuqi e këtij vendimi nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për një periudhë kalimtare 12-mujore.

Këto lehtësira të ofruara nga Prishtina zyrtare janë mirëpritur nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar si dhe nga vetë Serbia /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme