Prokuroria Themelore në Prizren ka finalizuar një operacion të gjerë në lokacione të ndryshme, lidhur me zbulimin e një skeme masive të keqpërdorimeve financiare dhe pagesave të pajustifikuara në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), që kapin vlerën mbi një milion euro.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi dhe në mënyrë ekskluzive për këtë aferë të periudhës 2022-2023, kohë kjo që përkon me mandatin e ish-drejtorit ekzekutiv, Sami Mazreku, i cili u penalizua më pas nga BQK-ja me përjashtim pesëvjeçar nga industria e sigurimeve.
Referuar një raporti të auditimit të brendshëm të siguruar nga Insajderi, më poshtë mund të gjeni listën e plotë të personave që figurojnë si përfitues të këtyre mjeteve:
Ariana Domniku Çollaku, Yll Çollaku, Marigona Çollaku, Naxhije Çollaku, Naser Biri, Jetesa Biri, Ron Biri, Bardh Hoti, Mirjeta Kosumi, Agon Bardhi, Hasip Meleqi, Agim Krasniqi, Trendelinë Azemi, Lirim Ahmetaj, Kushtrim Demolli, Mentor Demolli, Egzona Gashi, Lumnije Osmani, Rilind Hasani, Paris Starabanja, Florent Sylejmani, Kimete Kuliqi, Fehmi Bajrami, Brendona Mujaj, Faton Hajdari, Hana Rastavica, Valbonë Hoxha, Nora Muçaj, Mërgim Zabeli, Leonora Berishaj, Shefqet Mjeku, Leonard Rexhaj, Bajram Osmani, Diellza Kabashi, Enis Osmani, Besiana Murati, Arbnora Peci, Valon Duraj, Suad Haliti, Adem Nasufi, Ariana Mehmeti, Hana Ullak, Muhamet Rexhepi, si dhe subjekti juridik “Reforma SHPK”.
Burime të besueshme brenda organeve të sigurisë i kanë konfirmuar Insajderit se një pjesë e konsiderueshme e këtyre individëve tashmë janë arrestuar si pasojë e përfshirjes në këto manipulime.
Auditimi ka nxjerrë në dritë praktika të skandaluara të kompensimeve të dyfishta, ku BKS-ja paguante fillimisht palën e dëmtuar dhe më pas derdhte mjete edhe për kompanitë e huaja të sigurimit për të njëjtin rast, duke dëmtuar rëndë buxhetin institucional.
Po ashtu, ky raport ka identifikuar të paktën 14 raste specifike ku pagesat e dëmeve janë ekzekutuar pa pasur në lëndë as raportin origjinal të policisë mbi aksidentin.
Gjetjet dëshmojnë gjithashtu se BKS-ja kishte ndryshuar përqindjen e fajësisë nga 50% në 100% pa asnjë ekspertizë shtesë, veprim ky që rriste në mënyrë artificiale vlerën e dëmit që duhej kompensuar./insajderi.org

