Kushdo që interesohet që të ketë një certifikatë të gjendjes penale është i detyruar që të paguaj shumën prej 5 euro .
Por, kjo pagesë pritet të rritet për 10 euro në të ardhmen.
Kjo pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka inicuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për unifikimin e Taksave Gjyqësore, e që të gjitha taksat e parapara aty parashihen të rriten.
Megjithatë shumat që kanë caktuar në këtë udhëzim, besohet se janë shumfishë më të lartë se që kanë qenë me udhëzimin e 2017.
“Është një rritje enorme e taksave gjyqësore dmth prej asaj që ka qenë në vitin 2017 ka shkuar nëse analizohet pak më thellë ky udhëzues shihet se ka rritje deri në 500% të taksave gjyqësore, kemi tek padite nuk ka më padi nën 100 euro”, thotë Yll Zekaj – Avokat.
Zekaj shton se me këtë rritje KGJK-ja, bënë shkelje të të drejtave të njeriut.
“Kemi trefishim apo rritje të trefishit të taksave me udhëzimin e ri administrativ që faktikisht kjo e cenon edhe një të drejtë kushtetuese, për tju drejtuar gjykatës për tu trajtuar rasti i tyre në Gjykatë, duke rënduar xhepin e qytetarëve dhe duke ua pamundësuar atij që të kërkojë të drejtën nga ana e gjykatës.”
Derisa nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thonë se ky ndryshim duhet të jetë i arsytuar mirë, cka mungon në këtë fazë.
“Çfarëdo lloj ndryshimi duhet të jetë i arsyetuar mirë, dhe i bazuar dhe të ketë një arsyetim që është valid edhe i qëndrueshëm, në të kundërtën cdo rritje e tillë mundet me u pa si dekurajim i qytetarëve të Kosovës, për të ushtruar të drejtën e tyre për të marr shërbime përmes gjykatave, dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për padi dhe me fitu ligjshmërinë”, thotë Arbresha Loxha – GLPS.
Nga KGjK, nuk kanë treguar se mbi cilat arsye është nisur ky ndyshim i tarifave, porse kanë thënë se i njëjti është në konsulltim publik.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), është në fazën e ndryshimit të Udhëzimit Administrativ për unifikimin e Taksave Gjyqësore, ku ju njoftojmë se i njëjti është në fazën e konsultimit publik, që nga data 20 shkurt 2024. Pas konsultimit publik do të vendosim për hapat e radhës, varësisht nga komentet që vijnë. Gjithashtu, ju njoftojmë se në draftin e parë janë rritur taksat, por njëkohësisht është rritur edhe numri i kategorive të personave të cilët janë të liruar nga pagimi i taksave, prandaj, pas shqyrtimit të komenteve ne do të kemi një pasqyrë të plotë të gjendjes reale.”
Sipas memorandumit shpjegues për këtë udhëzim, si pjesë e re në draft parashihen edhe procedurat përmbarimore dhe tarifat e taksës gjyqësore për Gjykatën Komerciale, e themeluar së fundmi.