Ka përfunduar seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”, ku në mesin e të akuzuarve figuron edhe ministrja e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Pas daljes nga salla e gjyqit, ministrja Hajdari u ndal para gazetarëve, mirëpo zgjodhi të mos elaboronte detaje teknike të procesit.
“Këtu jam, nuk ju iki. Siç e vërejtët edhe vetë, isha prezente në seancën lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj meje nga Prokuroria Speciale për çështjen e rezervës shtetërore. Edhe pse ndihem plotësisht e pafajshme, e konsideroj këtë një proces tendencioz ku janë shkelur procedurat ligjore. Megjithatë, esencialja është që qytetarët të mos brengosen; rezervën shtetërore e kemi rritur shumëfish në kohërat më të vështira, siç ishte mbyllja e kufijve pas luftës në Ukrainë, kur eksporti i produkteve bazike ishte bllokuar”, deklaroi Hajdari.
Ministrja potencoi se Prokuroria ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pavarësisht se janë në procese paralele gjyqësore me operatorët ekonomikë që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre kontraktuale. Në fund, ajo u tregua e prerë duke thënë se “nuk më lejohet të deklarohem më gjerësisht për rrjedhën e procesit”./lajmishqip.net
