Në Kosovë, përgjatë vitit 2024 u raportuan gjithsej katër raste laboratorike me ethet e Nilit Perëndimor.
Kështu bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ku dhe informoi për vendet ku janë hasur rastet.
“Në Kosovë gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 4 raste laboratorike të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor:
Rasti i parë i importuar është konfirmuar me datë 07.08.2024 tek një banor i komunës së Fushë Kosovës.
Rasti i dytë është autokton, është konfirmuar me datë 09.08.2024, tek një banor i Bardhit të Madh të komunës së Fushë Kosovës.
Rasti i tretë po ashtu është autokton, është konfirmuar me datë 30.08.2024, tek një banor i Prizrenit.
Rasti i katërt është rast i importuar, është konfirmuar me datë 05.09.2024, tek një banore e Fsh. Rufc i Vjetër të komunës së Lipjanit”, thuhet në njoftim.
Të gjitha raste janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore janë liruar në shtëpi.
Virusi i Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) transmetohet nga pickimi i mushkonjave te zogjtë. Njerëzit dhe gjitarët gjithashtu mund të infektohen, megjithëse rreth 80 për qind e infeksioneve humane nuk kanë simptoma. Shumica e rasteve humane paraqiten midis korrikut dhe shtatorit kur mushkonjat janë aktive.
Rreth 20 për qind e infeksioneve WNV tek njerëzit mund të shkaktojnë ethet e Nilit Perëndimor (West Nile Fever – WNF), e karakterizuar me: dhimbje koke, ethe, mialgjia, të vjella, skuqje, lodhje, dhimbje e syve. Më pak se një për qind mund të shkaktojë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor që prek sistemin nervor.
Faktorët e rrezikut përfshijnë: moshat e shtyra, tumoret në tru, presionin e lartë të gjakut, çrregullime të gjakut, diabetit, sëmundjet e veshkave, abuzimi me alkoolin, faktorët gjenetikë. Shkalla e vdekshmërisë në mesin e njerëzve që zhvillojnë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor mund të jetë deri në 17 për qind.
Si përhapen ethet e Nilit Perëndimor: WNV zakonisht përhapet te njerëzit nga mushkonjat e infektuara. Mushkonjat infektohen nga zogjtë e infektuar. Mushkonjat përhapin virusin, dhe zogjtë ndihmojnë virusin të rritet në numër. Virusi gjithashtu mund të përhapet midis njerëzve përmes transfuzionit të gjakut dhe transplantimit të organeve. Mënyra të tjera në të cilat virusi mund të përhapet janë nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji dhe përmes ekspozimit laboratorik.
“Vaksinimi dhe trajtimi: Nuk ka trajtim specifik për virusin, vetëm kujdes shëndetësor mbështetës .
Vlerësimi i rrezikut : Ekziston një rrezik mesatar për popullatën në periudhën pranverë-verë, por ai mund të minimizohet duke iu përmbajtur rekomandimeve për parandalim që i përcjellin institucionet kompetente”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Parandalimi:
-Parandaloni shtimin e mushkonjave në mjedisin tuaj
-Vendosni rrjeta në dyer të shtëpive dhe banesave tuaja
-Shmangni kontaktin me duar të zhveshura gjatë trajtimit të shpezëve ose shtazëve të ngordhura
-Nëse hidhni shpezë të ngordhura, përdorini dorëza dhe qese plastikë të dyfishta
-Mbani të pastra pishinat, pishinat dekorative, shatërvanët!
-Mos krijoni pellgje në oborret tuaja.
-Përdorni qirinj aromatikë, spirale aromatike, si repelentë mbrojtës gjatë qëndrimit jashtë dhe në natyrë (kopsht, oborr).
-Shmangni daljen dhe qëndrimin jashtë në agim ose muzg, kur mushkonjat janë më aktive!
-Vishni veshje adekuate, mundësisht me ngjyra të hapura, që do mbulojnë sa më shumë trupin/lëkurën tuaj (mëngë të gjata, pantallona të gjata, çorapë, kapele…)!
-Aplikoni mjete mbrojtëse (repelentë) në formë kremi, stiku, spreji për lëkurën dhe rrobat, e që i dëbojnë mushkonjat!
Nëse shfaqni simptoma të sëmundjes, ata duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore dhe ta informojnë mjekun për qëndrimin në zonat ku ekzistojnë sëmundje që përhapen nga mushkonjat.