Eksperti i Ballkanit Perëndimor dhe hulumtuesi i Universitetit Johns Hopkins, Edward Joseph, reaguar pasi komiteti i ministrave të shteteve anëtare i dha mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në një shkrim në Twitter, Joseph konsideron se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet të festojë për përparimin e votimit të Këshillit të Evropës.
Kjo thotë ai do ta nxisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“President Vuçiq, së shpejti diplomatët tuaj do të mund të diskutojnë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut – jo në takimet e kryesuara nga BE-ja – por me kolegët diplomatë nga Republika e Kosovës, në Këshillin e Evropës. Votimi i KiE-së nxit menjëherë perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha eksperti amerikan.
Më tej theksoi se zbatimi do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Dhe liberalizimi i vizave më në fund do t’u japë serbëve të Kosovës udhëtimin pa viza në BE”, ka thënë ai, duke shtuar se meqë mirëqenia e serbëve të Kosovës është prioriteti kryesor i Vuçiqit, ai duhet ta kuptojë se ata janë përfituesi më i madh.
Joseph shtoi se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, duhet ta informojë Spanjën dhe vendet tjera mosnjohëse ndaj Kosovës, të cilat janë anëtare të BE-së, se duke votuar kundër në KiE, Serbia ka shkelur marrëveshjen me Kosovën, e cila është ligjërisht të detyrueshme, e hartuar nga BE-ja.
“Abstenimet nga Greqia, Sllovakia dhe më e rëndësishmja, Ukraina , tashmë tronditin status quo-në e mosnjohjes. Borrell duhet të informojë Spanjën dhe vendet e tjera jo-njohëse të BE-së se, duke votuar kundër në KiE, Serbia ka shkelur Marrëveshjen “ligjërisht të detyrueshme”, të hartuar nga BE-ja me Kosovën. Vuçiq, së shpejti diplomatët tuaj do të mund të diskutojnë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut – jo në takimet e kryesuara nga BE-ja – por me kolegët diplomatë nga Republika e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkroi Joseph.
Ndryshe, me 33 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime u miratua kërkesa e Kosovës në KiE.
Pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Surprizë e pakëndshme ishte vota kundër e Hungarisë së drejtuar nga Viktor Orban, shtet ky që e ka njohur shtetësinë e Kosovës.
Pos Hungarisë kundër votuan edhe Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia.
Kanë abstenuar: Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja.
Ndërkaq shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim./Telegrafi/