Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg, dhënë nga Shkalla e Parë, Ervin Salianji përveçse do të përfundojë pas hekurave, do të humbasë edhe mandatin si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës.
Neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
“Me këtë vendimmarrje të Gjykatës së Apelit është vendimtare sa i takon mandatit të deputetit Salianji. Sipas kushtetutës fajësia dhënë me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimit është shkak ligjor për ndërprerjen e mandatit të deputetit. Përveç lirisë ai humb edhe mandatin e deputetit”, tha gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, i cili ka ndjekur procesin “Babale”.
Konstatimi i humbjes së mandatit të tij do të formalizohet përmes Këshillit të Mandateve në Kuvend që njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar. Në momentin që KQZ njoftohet se është krijuar një vakancë në Kuvend, përcakton se cilit qark dhe cilës forcë politike i përket mandati i mbetur bosh.
Gjasat janë që mandati i Salianjit t’i takojë ish-prefektit të qarkut të Korçës, Andrea Mano.
Jo vetëm burg, Salianji humb mandatin e deputetit, ja kush e
Mano, i cili ka drejtuar më parë edhe degën lokale të PD në Korçë dhe ka kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë në vitin 2011, pritet të jetë përfaqësuesi më i ri i demokratëve në Parlament. Ai po ashtu njihet për një përplasje me Salianjin sa i përket listave të kandidatëve të PD në vitin 2021, ku Mano u rendit shumë poshtë në qarkun e Korçës duke mos pasur shancin të zgjidhet deputet.
Gjasat janë që sipas ligjit të dekriminalizimit, Ervin Salianjit t’i ndalohet edhe kandidimi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, pasi dënimi i formës së prerë bën që t’i ndalohet për 5 vite ushtrimi i funksioneve publike.
Ndërkohë, vlen të nënvizohet se e vetmja mundësi ligjore e Salianjit për të kundërshtuar ose ndryshuar këtë vendimmarrje është Gjykata e Lartë, në rast se brenda afatit 45 ditor, ligjvënësi opozitar do ti drejtohet me rekurs ku të kundërshtojë dhe kërkojë shfuqizimin e vendimit të Apelit.
Por, edhe nëse çështja shkon për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kjo nuk shmang dërgimin në qeli të Salianjit, i cili do ta ndjekë procesin nga burgu, shkruan A2.