Javën e ardhshme pritet të dorëhiqen të gjithë policët serb në komunat veriore

1 minute, 9 seconds Read

Tre prej tyre dhanë dorëheqje dje, dhe dy të tjerë sot!

Policët serb, të cilët nisën punën pak javë më parë në veri të vendit, të diplomuar në gjeneratën e 58-të të Policisë së Kosovës, janë duke u dorëhequr nga pozitat e tyre.

Burime të Indeksonline pohojnë se brenda javës së ardhshme pritet të japin dorëheqje të gjithë policët që u emëruan në këtë pozitë në korrik.

Dy policë serb sot e arsyetuan dorëheqjen e tyre duke e cituar deklaratën e Kurtit në ditën e diplomimit të gjeneratës së 58-të, ku mes të tjerash kryeministri kishte thënë se “Policia jonë është vijimësi e Ushtrisë sonë Çlirimtare”.

Dorëheqjes së policëve u ka reaguar presidentja Osmani, e cila cilëson se ky është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe se këto presione pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit.

Në anën tjetër, ambasadorët e jashtëm në Kosovë kanë thënë se janë të shqetësuar me këto vendime, duke thënë se është jetike që Policia e Kosovës të përfaqësojë komunitetet aty ku kryen detyrën.

46 nga 74 policë të komuniteteve joshumicë që filluan punën në komunat veriore në fund të korrikut, i përkasin komunitetit serb./Indeksonline

Publikime te ngjashme