Janjiq: V*rasja e policit në Serbi nuk është aktivitet t*errorist

3 minutes, 27 seconds Read

Vrasja e një polici në Lloznicë nuk ka pasoja afatgjata në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konsideron Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, por thotë se duhet shfrytëzuar momenti për zgjidhjen e disa çështjeve që janë shmangur një kohë të gjatë, dhe mbi të gjitha çështjen e shkëmbimit të informacioneve në lidhje me krimin e organizuar dhe çështjet e sigurisë njerëzore.

Të gjithë treguesit, nga autori, rrjeti me të cilin ka lëvizur gjatë arratisjes nga burgu në Kosovë dhe në fund ballafaqimi me policin, flasin për motive të vërteta kriminale, ka thënë Janjiq për portalin serb “kosovoonline”.

“Nuk ka dyshim se ka pasur vetëdije të plotë se po vritet një polic që po kryente detyrën zyrtare. Ky moment politik gjendet në vetë biografinë e autorit, ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Por puna e tij, duke u marrë me marihuanë dhe arratisja e tij, dhe kur sheh ato kanale që e kanë ndihmuar, është në fakt rruga ballkanike e shitjes së marihuanës dhe drogës, kur vjen nga Italia nëpërmjet Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe ndoshta qëllimi ka qenë të arratiset diku në Spanjë apo Gjermani. Kështu që ky moment politik të cilin e ka theksuar ministri i jashtëm serb nuk punon. Kjo nuk mund të merret si dëshmi e aktivitetit terrorist nga territori i Kosovës kundër territorit të Serbisë”, ka bërë me dije Janjiqi, transmeton Paparaci.

Ai ka theksuar se është “e pabesueshme” se si EULEX-i nuk e ka bërë punën e tij në dy vjetët e fundit.

“Ai thjesht e sheh veten si një shërbim që e bën Policinë e Kosovës më efikase, shumë pak ndërhyn në shkëmbimin e të dhënave mes policisë së Serbisë, Kosovës dhe organeve hetimore. Le të marrim rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit apo Banjskës. Daçiqi dhe qeveria në të ardhmen duhet të kërkojë nga ndonjë Lajçak, Borrell tjetër, që kjo të jetë temë e diskutimit. EULEX-i është aty shumë i nevojshëm në shkëmbimin e të dhënave, kur bëhet fjalë për krimin, sigurinë njerëzore, krimet kundër grave dhe të ngjashme”, ka thënë Janjiqi.

Ai gjithashtu ka theksuar se NATO është i ngarkuar në aspektin ushtarak dhe serbët, siç thotë ai, aktualisht janë vërtet të shqetësuar për siguri, raportin me policinë dhe krimin. Ai shton se që nga viti 2013 fare nuk është diskutuar në bisedime për sigurinë dhe kur ndodhin raste të tilla, atëherë fillon politizimi dhe pastaj të gjithë shkojnë në zgjedhjet e tyre ndërsa qytetarët vdesin.

“Vrasja ka qenë për arsye kriminale, por ka edhe pasoja politike, sidomos kur ndodh në këtë situatë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Pasojat politike gjithmonë ekzistojnë dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike duhet pasur kujdes. Prandaj e rëndësishme është që kjo të mos kthehet në konflikt, sepse nuk do të gjejmë zgjidhje, nuk do të fitojmë drejtësi. Ky njeri është vrarë, por rrjeti që e ka bartur nuk do të zbulohet dhe jam i sigurt se ikja e tij është pjesë e krimit të organizuar, kjo nuk është vepër e thjesht penale, aty janë përfshirë shumë njerëz”, konsideron Janjiq

Ai ka theksuar se nëse në një Mitrovicë – prej nga Hajrizi u arratis nga burgu – “keni një represion të tillë dhe kinse efikasitetin e forcave policore të Kosovës kur duhet të mbyllin barnatore, t’ia dorëzojnë kompanitë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo shkakton një distancë të re të serbëve nga kjo polici dhe shkakton atë ndjenjë shtesë të kërcënimit”.

“Motivimi nacionalist nuk duhet të përjashtohet, por së pari duhet të mbledhim të gjitha të dhënat dhe numër një është të arrijmë te faktet. Pa EULEX-in, ne nuk do të mund ta bëjmë këtë”, përfundon Janjiqi.

Publikime te ngjashme