Ish-atasheu amerikan: Kosova duhet të prodhojë dronë – avantazhi që nuk e kanë vendet e BE-së

1 minute, 3 seconds Read

Republika e Kosovës tashmë ka në pronësi mijëra dronë të rinj “SkyDagger”, si dhe sisteme të avancuara ajrore, përfshirë “Bayraktarët” turq, të cilat po e forcojnë ndjeshëm kapacitetin mbrojtës të vendit.

Ndërkohë, ekspertët ushtarakë po nxisin fillimin e prodhimit vendor të dronëve, duke synuar tërheqjen e investitorëve privatë ndërkombëtarë që do të sillnin teknologji moderne dhe përvojë në Kosovë.

Sipas ish-atasheut ushtarak amerikan, Jeffrey Fischer, prodhimi i dronëve brenda vendit do t’i mundësonte Kosovës të ruajë armët dhe kapacitetet e veta strategjike, veçanërisht në rast të ndonjë kërcënimi nga fqinjët.

Fischer vlerëson se Kosova ka një avantazh të rëndësishëm ligjor krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

“Kosova duhet të shfrytëzojë faktin që nuk është pjesë e BE-së, sepse në BE ndalohet testimi i dronëve jashtë fushëpamjes vizuale dhe ndalohet përdorimi i tyre për lëshim të bombave,” ka theksuar ai.

Sipas tij, këto kufizime nuk vlejnë për Kosovën, duke i dhënë mundësi që të zhvillojë një industri moderne të dronëve ushtarakë, me potencial të madh eksporti dhe ndikimi strategjik në rajon./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme