Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka nisur lëvizjet emergjente për t’u përgatitur ndaj skenarit të eliminimit të tij fizik, pas kërcënimeve në rritje nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, raporton The New York Times.
Sipas raportit, Khamenei ka emëruar aleatin e tij besnik, Ali Larijani, si udhëheqës de facto të republikës islamike gjatë kulmit të trazirave në janar, duke reflektuar frikën se Teherani zyrtar mund të bëhet shënjestër e goditjeve direkte amerikano-izraelite.
Këto informacione pasojnë spekulimet e fundit rreth strategjisë që mund të ndjekë Uashingtoni në rast të një ofensive ushtarake ndaj Iranit.
Burime nga administrata amerikane, të cituara nga Reuters, pohojnë se Pentagoni mund të targetojë krerët individualë të regjimit iranian si pjesë e një operacioni që synon ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, pa specifikuar emrat e listës së zezë.
Larijani, një figurë me peshë politike dhe ish-eksponent i lartë i Gardës Revolucionare, njihet prej vitesh si njeriu më i besuar në rrethin e ngushtë të Khameneit.
Në rolin e tij si Sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, ai tashmë ka marrë frenat e vendimmarrjes, duke lënë në hije presidentin e zgjedhur, Masoud Pezeshkian, i cili ka mbetur një figurë thjesht ceremoniale.
Ngjitja e Larijanit, i cili luajti rol kyç në shtypjen e protestave anti-regjim, ka konsoliduar pozicionin e tij brenda kupolës së shtetit. Përpos menaxhimit të situatës së brendshme, ai po koordinon veprimet me aleatët si Rusia dhe Katari, ndërsa po mbikëqyr edhe dosjen e nxehtë bërthamore me Uashingtonin.
Rrjedhjet nga IRGC-ja sugjerojnë se Larijani po harton plane emergjente për administrimin e vendit në gjendje lufte, veçanërisht tani kur prezenca ushtarake amerikane në rajon është në pikën më të lartë.
Khamenei i ka dhënë udhëzime strikte një grupi të ngushtë figurash për të garantuar vazhdimësinë e Republikës Islamike në rast se ai vritet apo nëse komunikimet shtetërore ndërpriten.
Për këtë qëllim, është hartuar një plan trashëgimie me katër shtresa për çdo post kyç, ku çdo lider ka zëvendësimet e përcaktuara që aktivizohen automatikisht në rast të eliminimit të paraardhësit.
Megjithatë, trashëgimia e Khameneit mbetet komplekse, pasi Larijani nuk gëzon rangun e klerikut të lartë shiit, që mbetet kriter kushtetues për postin e Liderit Suprem.
Pavarësisht kësaj, ai mbetet pika më e fortë e referimit për Khamenein, i pasuar nga Mohammad-Baqer Qalibaf dhe Ali Akbar Velayati.
Nxitimi i Khameneit për të siguruar pasardhësin u përshpejtua pas sulmit raketor të majit 2025, i cili goditi rëndë zinxhirin komandues të ushtrisë iraniane.
Përkundër përpjekjeve diplomatike, Teherani po operon nën bindjen se një sulm masiv nga SHBA-ja është i pashmangshëm dhe i afërt.
Aktualisht, ushtria iraniane është në gatishmëri të plotë, me raketa balistike të drejtuara drejt Gjirit Persik dhe ushtrime që parashohin bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.
Ankthi i mbijetesës politike po nxit spekulime edhe për emra të tjerë, ku përveç Larijanit, përmendet edhe ish-presidenti Hassan Rouhani, pavarësisht margjinalizimit të tij të mëparshëm.
Rouhani shihet si kandidat i fortë për shkak të kredencialeve fetare, të cilat i mungojnë krahas ushtarake të Larijanit.
Sidoqoftë, dominimi i Larijanit është bërë i dukshëm javët e fundit përmes takimit me Putin në Moskë dhe prezencës së tij të shtuar në mediat ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Pezeshkian ka pranuar publikisht se fuqia e tij është e kufizuar, duke ia deleguar Larijanit vendimet për çështje jetike, përfshirë lirinë e internetit./lajmishqip.net

