Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në Mitrovicën e Veriut, ku një autokolonë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është parë e parkuar pranë stacionit policor, duke shkaktuar paqartësi të momentit. Si FSK-ja, ashtu edhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se ngjarja ishte rezultat i një gabimi njerëzor në orientim.
Shefi i zyrës për informim në FSK, Vëllazërim Qerimi, ka sqaruar zyrtarisht situatën. “Forca e Sigurisë së Kosovës sqaron se sot, rreth orës 10:30, gjatë lëvizjes së një konvoji nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët tanë me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes,” deklaroi Qerimi.
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se situata u menaxhua menjëherë dhe pa asnjë problem. “Kur njësitë tona iu afruan, pjesëtarët e FSK-së konfirmuan se kishin ngatërruar rrugën. Policia i ka përcjellë nga ai vend deri te Kërshi i Dudës për t’u siguruar që të vazhdonin në drejtimin e duhur,” tha Elshani./lajmishqip.net