Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, pasi ky i fundit ka komentuar qëndrimet e Pecit lidhur me subvencionet.
Pacolli e kishte cilësuar si “emocional” reagimin e ministrit Peci, duke sugjeruar se kjo sjellje përforcon dyshimet se ministria i kishte dhënë padrejtësisht një grant prej 100 mijë eurosh vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Në një reagim të publikuar në Facebook, ministri Peci i është përgjigjur Pacollit duke e quajtur “trim altruist” dhe duke bërë një deklaratë të fortë që lidhet me të kaluarën e Pacollit.
“Behgjet Pacolli, po të drejtohem shumë gjakftohtë. Shumë faleminderit për këshillën more ‘trim altruist’. Po prej se e kam kuptuar që emri yt figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës, unë ty të llogariti diçka tjetër,” shkroi Peci.
Reagimi i Pacollit kishte ardhur pas raportimeve se ministria e Bujqësisë nuk i kishte ndarë subvencione nënave të veja të Krushës, kurse vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, kishte dhënë grant në vlerë 100 mijë euro.
Pos kësaj, u raportua gjithashtu se Peci i kishte dhënë grant 100 mijë euro edhe këshilltarit të tij Naim Huruglica.
Të dielën, kooperativa Bujqësore “Krusha” ka reaguar pasi i është refuzuar aplikimi për grantin bujqësor nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.
Në një reagim në Facebook, “Krusha” ka thënë se është shqetësues dhe zhgënjyes refuzimi me arsyetimin se mungonin dokumente plotësuese mbi trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit së prodhimit.
Në reagim u tha se kanë paraqitur ankesë, por edhe ajo u refuzua./Telegrafi