Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një reagim për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, ka shkruar se “në humbëm shkrimtarin më të madh të gjitha kohërave, ndërsa bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.
Arti dhe kultura i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij, shkruan kryeministri.
“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka thënë Kurti.