Hovenier: Ka aktorë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar përçarjet etnike

1 minute, 46 seconds Read

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar sot se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike”. Por, ai tha se “nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”.

Hovenier tha se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, sidomos gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht.

Ndër të tjera, ai kujtoi audiencën për një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte atë dhe kryeministrin Albin Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.

“Fatmirësisht, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të dizajnuar për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi”, theksoi ambasadori amerikan.

Hovenier theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

“Dhe, ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura”, deklaroi Hovenier, raporton REL.

Ai tha se “puna jonë së bashku është larg përfundimit”.

“Në fakt, mund të argumentoni se [puna] mbi këtë çështje, sapo ka filluar dhe ne jemi me të vërtetë të gatshëm të angazhohemi me të gjithë ju për të gjetur mënyra të reja për t’ju ndihmuar të mbroni demokracinë tuaj”.

Publikime te ngjashme