Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
“Duhet të jetë në përputhje me kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Hovenier ka thënë para mediave se megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është publikuar as nga zyrtarët në Kosovë as nga ata në Serbi.
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, u është prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.