Studimi i fizibilitetit dhe projekt-ideja për hekurudhën kombëtare Durrës-Prishtinë kanë përfunduar, duke sjellë këtë projekt madhor një hap më pranë realizimit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se raporti është prezantuar nga dy skuadra profesionale nga Kosova dhe Shqipëria.
“Hekurudha Kuq e Zi” shihet si një projekt me rëndësi strategjike, jo vetëm për transportin tregtar që lidh portin e Durrësit me portin e Thatë të Prishtinës, por edhe për udhëtimin e pasagjerëve midis dy vendeve.
Hekurudha e re do të kalojë nga Durrësi, përmes Shkodrës, duke vazhduar në Gjakovë dhe më tej në Prishtinë. Interesant është fakti se kjo linjë nuk bën pjesë në korridoret e transportit europian, siç janë segmentet Vorë-Hani i Hotit apo Durrës-Pogradec, por gjithsesi pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë dhe lidhjet rajonale.
Pas përfundimit të këtij studimi, hapi i radhës është realizimi praktik i projektit, një vepër infrastrukturore jetike për kombin shqiptar dhe rajonin.