Pak përpara fillimit të seancës konstituive, kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Në një prononcim për mediat, ajo theksoi se ekziston vullnet i ndërsjellë për bashkëpunim mes dy palëve, transmeton Telegrafi.
“Sigurisht që do të ketë një takim me zotin Limaj; pra, kryetari ynë Albin Kurti do të takohet me të. Ne e kemi bërë tashmë të qartë se nga të dyja anët ekziston vullneti për të vazhduar bashkëpunimin, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete”, pohoi ajo.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot në orën 11:00, në një tjetër tentativë për të konstituuar legjislaturën e re.
Kujtojmë se që nga data 15 prill, Kuvendi ka dështuar në 46 seanca radhazi për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Ky proces ka mbetur i bllokuar për shkak se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme nga partitë e tjera parlamentare, raporton lajmishqip.