Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka treguar se për çfarë është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se është intervistuar për dy raste, duke thënë se prokuroria po mundohet të ndërhyjë në punën e saj.
“Siç e dini me urdhër të Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dje dhe sot, jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, ka kohë që unë kam deklaruar asisoj. U thirra për një deklaratë në RTV Dukagjin që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore dhe të tjera. Me ç’rast kam shpjeguar se ne si Qeveri nuk funksionojmë asisojë e si në të kaluarën, por që ne e kemi për obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat siç e dini tashmë se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengo”.
“Si duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë në vazhdimësi që në çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë bërë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”.
“Rasti i dytë ka të bëjë me një reagim timin në Facebook, i cili vjen si një kundërpërgjigje ndaj përpjekjes së radhës së Qeverisë së Serbisë, përmes ish-zëdhënësit të partisë të Slobodan Millosheviqit, tashmë ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, i cili tentoi që ngjarjen që ka ndodhur në Loznicë, ta ndërlidhë me një sulm terrorist që kinse të përgatitur nga Republika e Kosovës”, ka thënë Haxhiu. /Klankosova.tv