Kandidati për kryeministër në radhët e koalicionit AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, është shprehur se nëse do ta marr besimin tuaj, do ta ulim çmimin e energjisë për 20 përqind.
Haradinaj, përmes një postimi në facebook tha se Kosova do të bëhet fuqi energjetike dhe energjia s’ka me qenë malli më i shtrenjtë në vend.
“Nëse do ta marr besimin tuaj, do ta ulim çmimin e energjisë për 20 përqind.
Nuk do të ketë më ngritje të çmimeve e as manipulim me të ashtuquajturat bllok tarifa të cilat janë shndërruar në mekanizëm për fatura të papërballueshme për qytetarin.
Kosova do të bëhet fuqi energjetike dhe energjia s’ka me qenë malli më i shtrenjtë në vend”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa theksoi se do të ndërtojmë e riaftësojmë kapacitete që Kosovës i japin 1500 megavatë energji.
“Nuk do të lejojmë që tregu i fqinjëve dhe mafia energjetike t’na i përcaktojë çmimet. Energjinë do ta prodhojmë vetë dhe vet do t’i kontrollojmë çmimet.
Do të ndërtojmë e riaftësojmë kapacitete që Kosovës i japin 1500 megavatë energji.
Termocentral me gaz, energji me erë, me panele solare, me biomasë, me ujë, si dhe me ristrukturimin e kapaciteteve ekzistuese”, ka shkruar Haradinaj.