Haliti thyen heshtjen për presidentin, zbulon kushtin që mund t’i pajtojë pozitën dhe opozitën

1 minute, 0 seconds Read

Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thyer heshtjen duke u prononcuar për herë të parë rreth nyjës politike të zgjedhjes së presidentit të ri.

Ai ka nënvizuar se aktualisht mbetet e paqartë se cilët emra do të garojnë zyrtarisht për këtë post dhe nëse prapaskenat politike kanë prodhuar ndonjë ujdi konkrete deri më tani.

Në një bisedë për Indeksonline, Haliti bëri të ditur se qëndrimi i tij në sallën e Kuvendit do të jetë në sinkron të plotë me vendimin që do të adoptojë organet drejtuese të partisë së tij.

“Gjithçka varet nga rrethanat; ende nuk kemi kandidatura zyrtare apo marrëveshje në tavolinë. Sidoqoftë, bindja ime individuale është se ka ardhur momenti që figura e presidentit të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë mes pozitës dhe opozitës”, potencoi Haliti, duke refuzuar të përfolë emra specifikë në këtë fazë.

Këto komente të figurës emblematike të PDK-së vijnë në një moment delikat, kur skena politike është përfshirë nga ethet e kalkulimeve për epilogun e procesit të ardhshëm të zgjedhjes së kreut të shtetit./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme