Çmimi i naftës në tregun e pakicës në Kosovë ka shënuar një rritje të ndjeshme këtë të hënë, duke prekur kuotën deri në 1.60 euro për litër.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, vlerat e derivateve po luhaten varësisht nga operatorët, ku nafta tregtohet nga 1.53 deri në 1.60 euro, ndërsa benzina mes 1.34 dhe 1.38 euro për litër.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht kostoja e naftës në tregun e shumicës ka arritur në 1.54 euro për litër.
Ky trend rritës po vazhdon në mënyrë të pandalshme si pasojë direkte e përshkallëzimit të tensioneve ushtarake në Lindjen e Mesme.
Më 5 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë (MINT) për caktimin e marzhës tregtare.
Ky akt përcakton një marzhë fitimi prej 2 centësh për shitjen me shumicë dhe 12 centësh për pakicë, në një kohë kur sulmet e Iranit në rajon, si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së dhe Izraelit, kanë destabilizuar bursat ndërkombëtare.
Çmimet globale të arit të zi kanë prekur vlerat më të larta që nga korriku i vitit 2022, veçanërisht pasi administrata e Donald Trumpit paralajmëroi se konflikti me Iranin mund të zgjasë, duke kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Nafta e tipit Brent ka pësuar një shtrenjtim prej 2.9%, duke u tregtuar me rreth 106.12 dollarë për fuçi./lajmishqip.net










