Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka lëshuar një sulm të ashpër verbal ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar atë se po funksionon si “hije politike e opozitës” për të bllokuar qëllimisht proceset shtetërore.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u ndal te masa e përkohshme e Gjykatës pas zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit, e iniciuar nga Lista Serbe. “E vetmja dilemë është nëse kjo masë 25-ditore është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme. Por që është edhe absurde edhe e dëmshme, nuk kam dyshim,” deklaroi ai.
Sipas Kurtit, rrënjët e kësaj bllokade qëndrojnë te përbërja e Gjykatës. Ai rikujtoi se pesë nga shtatë gjyqtarët aktualë u emëruan në vitin 2018, gjatë qeverisjes së koalicionit PAN dhe me mbështetjen e Listës Serbe, duke lënë të kuptohet se vendimet e tyre janë të ndikuara politikisht.
Kryeministri në detyrë theksoi se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, duke përmendur se zvarritjet e Gjykatës kanë kushtuar tre muaj vonesa në formimin e institucioneve. Ai kujtoi gjithashtu rrëzimin e ligjit për çmimet tavan të produkteve bazë, një vendim që e cilësoi si “ditën më të pikëlluese” të mandatit të tij.
Pavarësisht sfidave, Kurti u zotua se Vetëvendosje do të vazhdojë të mbrojë institucionet dhe interesat e qytetarëve. “Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit dhe qëllimisht dëmton procese të rëndësishme,” përfundoi ai./lajmishqip.net