Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në seancën gjyqësore të mbajtur këtë paradite, ku të pranishëm ishin prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, mbrojtja ligjore e Metës kërkoi zëvendësimin e masës me një alternativë më të butë si arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje.
Pas vlerësimit të argumenteve, trupi gjykues ka vendosur të rrëzojë ankimimin duke miratuar kështu vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, raporton lajmishqip.
Ilir Meta ka të drejtën e rekursit ndaj këtij vendimi pranë Gjykatës së Lartë, brenda një afati ligjor prej 45 ditësh nga data e njoftimit zyrtar.
Sipas vendimit të shpallur sot, më 17.07.2025, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi, u miratua vendimi i datës 26.06.2025, i cili ka caktuar masën “Arrest me burg” për shtetasin I.M., i akuzuar për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Pas daljes nga gjykata, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në një prononcim për mediat, theksoi se ish-presidenti nuk do të tërhiqet për këtë çështje.
“Gjyqtarët vijnë në sallë me vendime të paracaktuara. Më vjen keq për prokurorët dhe gjyqtarët që sillen si rrogëtarë. Ju siguroj se Meta është një person që nuk dorëzohet lehtësisht”, deklaroi Cakrani, raporton lajmishqip.