Gërvalla: Qytetarët ndëshkuan bllokuesit, koalicioni ynë theu rekordin e 14 shkurtit

1 minute, 9 seconds Read

Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka deklaruar se rezultati i fundit zgjedhor pasqyron qartë vullnetin e popullit dhe mbështetjen e palëkundur për kursin institucional të koalicionit qeverisës. Sipas saj, subjektet politike që ndoqën strategji bllokuese u ndëshkuan me humbje masive votash, raporton Gazeta 10.

Gjatë intervistës në emisionin “Politiko”, Gërvalla nënvizoi se vullneti i qytetarëve nuk lë vend për interpretime alternative. “Nëse besojmë në vlerat demokratike, atëherë vota është mesazh i prerë. Partitë që ende nuk e kishin marrë veten nga goditja e 14 shkurtit, humbën sërish votues për shkak të qasjes së tyre bllokuese, e cila nuk ishte në shërbim të forcimit të shtetit,” pohoi ajo.

Gërvalla vlerësoi se qytetarët i shpërblyen subjektet që treguan stabilitet dhe përgjegjësi, ndërsa penalizuan ata që tentuan të pengonin funksionimin e institucioneve.

“Mesazhi qytetar është i kristaltë: derisa disa parti kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe të tjerat thjesht kanë mbijetuar, koalicioni ynë ka shënuar rritje të fuqishme të mbështetjes – duke u ngjitur nga 42% në 51%,” theksoi ajo. Gërvalla shtoi se ky rezultat shënon një rekord të ri historik, duke tejkaluar edhe suksesin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. “Kemi thyer edhe rekordin që e vendosëm vetë më 14 shkurt,” përfundoi ajo. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme