Gazetarja e televizionit serb e thotë në një transmetim Live: “U shënua 29 vjetori i gjenocidit kundër boshnjakëve të Srebrenicës”

1 minute, 34 seconds Read

Gjatë një transmetimi të një emisioni informativ, drejtuesja e Radio Televizionit të Serbisë, Ivona Panteliq, ka bërë një deklarim që është shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ajo, në reportazhin për përkujtimin nga Potoçari me rastin e 29 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ka devijuar nga “rrëfimi i zakonshëm” për “krimin e tmerrshëm” dhe i quajti gjërat me emrin e duhur.

Përkatësisht, siç shihet në videon e emisionit të përmendur, Panteliq në raportin për përkujtimin në Potoçari ka thënë qartë se në Potoçari është mbajtur një përkujtimore me rastin e 29 vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës.

“Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari, u shënua 29 vjetori i gjenocidit kundër boshnjakëve të Srebrenicës. Sot u varrosën eshtrat e 14 viktimave”, ka thënë Panteliq.

https://twitter.com/MesalicMahir/status/1811488060112273886

Kjo, vlerëson klix.ba, është padyshim hera e parë që gjenocidi në Srebrenicë quhet me emrin e tij të vërtetë në shërbimin publik serb, në vend të narrativës së vendosur se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Siç thekson mediumi në fjalë, duke parë videon, nuk të krijohet përshtypja se Panteliqi ka bërë një lapsus, veçanërisht nëse merret parasysh se prezantuesit e programeve informative në televizion zakonisht lexojnë një tekst të parapërgatitur.

Nëse prezantuesi apo personi që ka shkruar tekstin që prezantuesi po lexon do të marrë disa sanksione nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit, mbetet për t’u parë.

Kujtojmë se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë duke shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të kryer në Srebrenicë në vitin 1995.

Publikime te ngjashme