Të paktën 40 palestinezë u vranë të premten nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve lokale. Shumica e viktimave ndodheshin në Qytetin Gaza, ku banorët refuzojnë të largohen pavarësisht urdhrave për evakuim, për shkak se nuk kanë destinacion të sigurt.
“Shpërthimet nuk u ndalën kurrë prej dje”, tha Adel, 60 vjeç, banor pranë kampit të refugjatëve “Plazhi”, i cili për arsye sigurie nuk deshi të identifikohej me emër të plotë, raporton Reuters.
Dëshmitarët rrëfyen se të paktën 15 shtëpi të kampit u shkatërruan nga bombardimet. Ushtria izraelite i ka njoftuar banorët e disa shtëpive të tjera duke i paralajmëruar për sulme të reja, ndërsa njerëzit po përpiqeshin të largoheshin me ngut.
Burimet mjekësore raportuan gjithashtu se 14 civilë humbën jetën nga një sulm mbi një banesë në zonën Al-Tuwam, në pjesën veriore të qytetit.
Disa prej sulmeve më vdekjeprurëse janë regjistruar edhe në jug të Gazës, ku ishin strehuar shumë nga ata që ishin larguar më herët nga Qyteti Gaza për t’i shpëtuar bombardimeve./lajmishqip.net