Faton Hajrizi – njeriu që u arratis për herën e nëntë nga burgjet e Kosovës i shpallur tashmë në kërkim nga Policia është lajmëruar sërish në rrjetin social TikTok. Por, kësaj radhe është tallur me Qeverinë Kurti, duke i quajtur “Lepurushat e Vetëvendosjes”. Hajrizi i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se arrestimi i tij është çështje orësh apo ditësh, teksa e ka përmendur edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, raporton Sinjali.
Të shtunën bëhet 1 javë nga ikja e Hajrizit dhe akoma i njëjti ndodhet në arrati, edhe pse Sveçla dha fjalë të mëdha të hënën.
Hajrizi i çoi mesazh Sveçlës duke i thënë se “nuk jeni ju që e kapni askënd, hiç”, dhe se sipas tij, të vetmit që mund ta kapnin atë, janë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
““E pyes Sveçlën, i them se kur ke qenë i vogël a ke punu në furrë a çka osht puna se i kishe do orë të furraxhisë. Nuk mun um kap ti mu, kurrë s’un um kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët um kishin kap, edhe me marrëveshje, jonë në Hagë atje, që ua kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Sa për ty, vi midis Prishtinës dhe s’guxon me m’dalë hiç, po i shtin qata burra Njësi Speciale jau then krytë e në fund ti rrin në kollare, se ti vet edhe 100 herë me u klonu ti s’munesh me m’kap mu – se s’guxon me mu afru ti mu. Ky është mesazhi që ta jap unë ty, Xhelal Sveçla, a çfarë mbiemri falë e ki, mbiemër koti”, tha Hajrizi.
Ai po ashtu ka dhënë një deklaratë me kode, e madje ka ironizuar për lokacionin e tij – duke përmendur edhe ministren Albulena Haxhiu.
“Pasna hup. Duhet me çitë në bander. Njeri i humbur. Ka hup. Kurrë mos u gjetë. Në Qeveri jom, mrena në ndërtesë jom, bile n’dhomë të Albulena Haxhiut. E kish lonë nifar dysheku. Tha rri edhe dimrit qitu masi o veni i sigurt.…” – thotë ai.
“Çështje orësh” – tha Sveçla të hënën në një konferencë për media në Qafë Morinë, ku paralajmëronte se kapja e Faton Hajrizit do të ndodhë shumë shpejt.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon. Unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultatet e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë, por duke parë efikasitetin e policisë është çështje orësh apo ditësh”, tha Sveçla më 8 korri, raporton Sinjali.
Si në ikjet e tij spektakolare të mëhershme, Hajrizi ishte i përgatitur për t’u larguar nga burgu pa u kapur nga oficerët. Ai u arratis për të nëntën herë nga burgu, pak pas orës 1 pas mesnatës të datës 06 korrik.