Në episodin e 65-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, dermatologia Rejhane Bislimi-Berisha, foli për problemet më të shpeshta të lëkurës, kujdesin e duhur dermatologjik dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë të ndryshimeve në lëkurë.
Gjatë bisedës u trajtuan tema që prekin një pjesë të madhe të popullatës, duke filluar nga aknet, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre dhe gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët gjatë trajtimit.
Dermatologia theksoi se aknet nuk janë vetëm problem i moshës së adoleshencës, pasi ato mund të shfaqen edhe tek të rriturit.
Sipas saj, faktorë të ndryshëm si ndryshimet hormonale, stresi, dieta dhe përdorimi i produkteve të papërshtatshme për lëkurën mund të ndikojnë në shfaqjen apo përkeqësimin e tyre.
Ajo theksoi se vetëtrajtimi me produkte të shumta pa konsultë me dermatolog është një ndër gabimet më të shpeshta që mund të çojë në përkeqësim të gjendjes së lëkurës.
Një tjetër temë e diskutuar ishte rutina e përditshme e kujdesit për lëkurën.
Bislimi-Berisha shpjegoi rëndësinë e pastrimit të duhur të fytyrës dhe zgjedhjes së produkteve që i përshtaten tipit të lëkurës.
Për më shumë shikoni podcastin “Shëndeti në rend të parë”./telegrafi.com










