Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një fazë të re dhe tejet pozitive. Gjatë një interviste për “Syri TV”, ajo ka zbuluar detaje ekskluzive rreth ftesës së papritur që i bëri ish-Presidenti Donald Trump për të qenë pjesë e ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes në Davos.
E para e shtetit rrëfeu një prapaskenë interesante diplomatike, duke treguar se ftesa zyrtare nga Uashingtoni kishte mbërritur në orën dy të mëngjesit. Meqenëse Kryeministri Albin Kurti ndodhej tashmë fizikisht në Davos, stafi i Presidencës kishte pyetur Shtëpinë e Bardhë nëse ai mund ta përfaqësonte Kosovën në këtë ngjarje.
Megjithatë, kërkesa për zëvendësim u refuzua prerazi nga administrata amerikane. “Ftesa ishte nominale, ata kërkuan që Presidentja e vendit të jetë aty”, theksoi Osmani, duke vënë në pah rëndësinë e pjesëmarrjes së saj direkte në këtë ceremoni të nivelit të lartë.
Për më tepër, ajo nënvizoi ndikimin e jashtëzakonshëm të kësaj ngjarjeje në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se Trump nuk e la Kosovën të izoluar. Ky zhvillim ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në diplomaci, aq sa edhe shtete mosnjohëse kanë filluar të ndryshojnë qasjen e tyre dhe të reflektojnë mbi mundësinë e njohjes./lajmishqip.net









