Me datë 23.05.2025, në zyrat e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privat (DHKPGJP) të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK) Z. Mehdi Reshani, së bashku me nën-kryetarin, anëtarët e Bordit Ekzekutiv dhe Udhëheqësin e Shërbimit Profesional të Odës, janë pritur nga kryetari i Dhomës, Z. Tedi Malaveci, i shoqëruar nga nënkryetari i Dhomës, Kryetarja e Këshillit Drejtues dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Dhomës.
Ky takim shënon një hap të mëtejshëm në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe institucionale, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e përmbarimit.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat e përbashkëta në praktikat e përmbarimit dhe identifikimi i mekanizmave për tejkalimin e tyre. Palët ndanë përvoja mbi përpjekjet konkrete për dixhitalizimin e shërbimeve përmbarimore, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe transparencës, si dhe diskutuan mbi standardizimin e procedurave të arkivimit të lëndëve përmbarimore për një menaxhim sa më të mirë të dokumentacionit. Një fokus i veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit me ministritë e drejtësisë të dyja vendeve dhe përvojat e dy vendeve me bankat qendrore dhe ato komerciale, si element kyç për efikasitetin e përmbarimit.
Takimi u karakterizua nga një frymë e ngrohtë bashkëpunimi dhe një angazhim i ndërsjellë për të intensifikuar shkëmbimin e ekspertizave dhe praktikave më të mira. Të dyja palët rikonfirmuan vullnetin për të formalizuar dhe zgjeruar këtë bashkëpunim në të ardhmen, duke kontribuar kështu në forcimin e sistemit të përmbarimit në rajon.
Në përfundim, delegacioni nga Kosova shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimet frytdhënëse, duke ftuar kryetarin Malaveci me bashkëpunëtoret e tij nga Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësor të Shqipërisë, për një vizitë të ardhshme në Kosovë, me qëllim vazhdimin e dialogut dhe konkretizimin e nismave të përbashkëta.