Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Komuna e Dragashit ka shënuar një fenomen të pazakontë, pasi numri i votave për partitë serbe tejkalon dukshëm numrin e banorëve serbë të regjistruar në këtë komunë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, vetëm 15 qytetarë në Dragash janë deklaruar si serbë, ndërsa në zgjedhje Lista Serbe ka marrë 127 vota, partia e Nenad Rashiqit 98 vota, ndërsa SRPSKA DEMOKRATIJA ka siguruar 8 vota. Partitë e tjera serbe si “Srpski narodni pokret” dhe “Gradjanska Inicijativa Narodna Pravda” kanë marrë nga 3 vota, ndërsa “Partija kosovskih Srba” e Aleksandër Jabllanoviqit ka siguruar 2 vota.
Ndërkohë, në komunitetin gorane, partia e Adem Hoxhës ka marrë mbi 1,000 vota, duke i siguruar një mandat deputeti, ndërsa SDU e Duda Baljes ka marrë 643 vota, një mbështetje e rëndësishme për sigurimin e mandatit të saj si partia e dytë boshnjake.
Në garën mes partive shqiptare, LVV ka dalë e para në Dragash me 300 vota më shumë se PDK-ja, ndërsa LDK-ja është renditur e treta, me një diferencë prej 400 votash nga LVV-ja.
Vlen të kujtohet se në fillim të vitit, autoritetet shtetërore kishin mbyllur katër komuna paralele serbe, të cilat vepronin jashtëligjshëm në Dragash. Njëra prej tyre, e vendosur në fshatin Vranisht, kishte operuar ilegalisht për vite me radhë, duke lëshuar dokumente për Prizrenin, Suharekën, Rahovecin dhe Dragashin.